Kakpitulli 1

Një shikim fillestar mbi gjuhën e urrejtjes online

Të rinjtë qëndrojnë në qendër të vëmendjes për çdo ndryshim pozitiv të bërë në shoqëri. Është e vërtetë që çdo problem ka zgjidhjen e vet, mund të ketë një rezultat pozitiv për çdo situatë të errët – për sa kohë që DIKUSH bën DIÇKA për të! E kush do të ishte më i mirë në këtë rol se…të rinjtë! Ju! Si? Epo… duke përhapur fjalën, duke udhëhequr me shembull, duke treguar rrugën, duke predikuar për të! Sigurisht që lufta kundër narrativave të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes – fenomeni më shqetësues në botën moderne, nuk është përjashtim nga ky proces! Nëse do të donim ta vendosnim atë në një kornizë teorike… do ta emërtonim këtë proces si “edukim të bashkëmoshatarëve”. Ky është procesi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet anëtarëve të një komuniteti ose grupi të caktuar të rinjsh për të arritur rezultate pozitive. Bashkëmoshatarët shërbejnë si një burim i rëndësishëm informacioni, reagimi dhe mbështetjeje për individët ndërsa ata zhvillojnë vetëveten. Bashkëmoshatarët ndihmojnë në socializimin e një individi duke përforcuar ose ndëshkuar sjelljet ose ndërveprimet ndërpersonale. Me këtë rast, të rinjtë duket se luajnë një rol kyç në fenomenin e gjuhës së urrejtjes në internet, pasi ata gjenden në pozicione të ndryshme: viktima, vëzhgues dhe – fatkeqësisht– autorë. Pra… le ta luftojmë këtë çështje nga brenda! Le të përdorim fuqinë e të rinjve për të ndryshuar realitetin dhe për të fituar betejën kundër narrativave të urrejtjes! Bashkohuni me ne në procesin e edukimit të bashkëmoshatarëve!
Ky udhëzues është krijuar për të ndihmuar të rinjtë të bëhen akterë kryesorë në betejën kundër gjuhës së urrejtjes në internet dhe të përhapin mesazhin te bashkëmoshatarët e tyre, të bashkohen me ta dhe të sjellin rezultate të mahnitshme duke e bërë botën një vend më të mirë. Me fjalë të tjera… është koha që të rinjtë të bëhen Luftues!

a. Hyrje

Bota e internetit u ka ofruar njerëzve mundësi të pafundme për t’u shprehur në të gjitha mënyrat e mundshme. Kjo botë e pakufishme u ka dhënë njerëzve mundësinë që ndonjëherë të shkojnë përtej asaj që konsiderohet si një “trajtim human” i njëri-tjetrit. Gjuha e urrejtjes është përhapur tani në internet, duke e bërë vërtet të vështirë gjurmimin e saj dhe luftën kundër saj. Parandalimi i gjuhës së urrejtjes nuk është një detyrë e lehtë – e lëre më ta luftosh atë pasi që është shpërndarë shumë. Në fund të fundit, dëmi tashmë është bërë dhe tani duhet të përballemi me pasojat.

U desh shumë kohë për t’i dhënë një përkufizim gjuhës së urrejtjes, megjithatë, pas disa përpjekjesh, duket se më në fund kemi një të tillë, në të cilin mund të mbështetemi. Gjuha e urrejtjes, siç përcaktohet nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, përfshinë “të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin ose justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma të tjera të urrejtjes të bazuara në intolerancë, duke përfshirë: intolerancën e shprehur me nacionalizëm agresiv dhe etnocentrizëm, diskriminim dhe armiqësi ndaj pakicave, emigrantëve dhe njerëzve me origjinë emigrante”. Megjithatë, kjo nuk është e gjitha: gjuha e urrejtjes përfshin gjithashtu shprehje joverbale, si ato që mund të hasen në imazhe, video ose në çdo formë komunikimi në internet dhe jashtë tij, siç përfshihet në përkufizimin e Këshillit të Evropës, dhe në evidencën e  vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

 

Zjarri tashmë ka bërë dëmin e tij dhe tani është koha për t’u marrë me plagët. Në këtë drejtim, ka pasur iniciativa të shumta për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes në internet, megjithatë, është shumë më e vështirë se sa duket – kundërshtimi i një narrative kërkon … një narrativë tjetër, një narrativë sfiduese, ose një kundër-narrativë së bashku me një narrativë të re krejtësisht. një kornizë e re për interpretimin e realitetit. A ju duket shumë e ndërlikuar? Epo…ne besojmë se ky udhëzues do t’ju ndihmojë që të keni një kuptim më të thellë të procesit të luftimit të gjuhës së urrejtjes online, si dhe t’ju ofrojë shembuj dhe mjete konkrete për t’u përdorur në punën tuaj. Ky udhëzues do t’ju ndihmojë të njiheni me përdorimin e fakteve për të krijuar narrativa alternative ndaj atyre që promovojnë gjuhën e urrejtjes, pasi përqendrohet në idenë se ndonjëherë nuk mjafton të kundërshtosh, denoncosh dhe dekonstruktosh një narrativë të dhunshme, por duhet edhe të propozosh, zhvillosh dhe shpërndash narrativa alternative të bazuara në parimet e të drejtave të njeriut. Udhëzuesi i Luftuesve bazohet në qasjet ekzistuese arsimore të zhvilluara nga lëvizja “No Hate Speech”, të rregulluara dhe të formuara për ju. Le të fillojmë!

1%