KAPITULLI 1

D. Nga ku rrjedhë kjo?

“Mënyra se si ne e shohim botën përreth, është mënyra se si bota do të na trajtojë neve”

Gjuha e urrejtjes ka rrënjët e saj, sikur çdo problem. Por, si funksionon? Nga ku vie gjithë kjo urrejtje e dëmshme, e si krijohet? Ka shumë gjëra që fshihen pas saj… Le t’i shikojmë:

NIVELI 1: Stereotipet

“Stereotipet janë besime të përgjithësuara, të thjeshtuara ose të përgjithësuara për një grup njerëzish. Një stereotip është “një imazh në mendjen tonë”, që përcakton se si arrijmë të kemi besime të caktuara për një person, vetëm sepse ai person i përket një grupi të caktuar.”

Stereotipet janë një pjesë thelbësore e jetës sonë të përditshme, perceptimit dhe sjelljeve tona, duke ndikuar në zakonet tona, marrëdhëniet tona me familjen dhe miqtë, traditat dhe zakonet tona, bindjet tona politike, qëndrimin tonë shoqëror, madje edhe sjelljen tonë seksuale.

Pra, cilat janë karakteristikat e stereotipeve?

  • Kanë natyrë negative, por (rrallë) mund të jenë pozitive.

Grekët janë dembelë”- por edhe: “Grekët janë të ngrohtë dhe mikpritës

  • Zakonisht bazohen në pak fakte dhe të vërteta të pjesshme pa prova shkencore, prandaj zakonisht janë deklarata të rreme.

Aziatikët janë të mirë në matematikë.”- është fakt i rremë pa prova shkencore, edhe pse ka raste të personave nga Azia që performojnë shkëlqyeshëm në shkenca natyrore dhe matematikë.

  • Lindin nga ndërveprimi social, përvojat e kaluara dhe sfondi emocional, me një pjesë të mirë të fantazisë.
  • Janë besime të mbipërgjithësuara, të cilat mund të stimulohen ose të arrijnë në nivelin e ekzagjerimit për shkak të faktorëve të parëndësishëm si filmat, muzika apo letërsia.

“Burrat latinë janë dashnorë fantastikë.” – një stereotip që i ka rrënjët në kinema, pasi shumë filma në vitet ’60, ’70 dhe ’80 shfaqnin burra latinë që ishin jashtëzakonisht simpatikë dhe joshës.

  • Dalin nga konfliktet midis individëve ose grupeve dhe përfundojnë në tregime (zakonisht) negative ndaj grupit të jashtëm dhe pozitive ndaj grupit të brendshëm.
  • Ato varen nga konteksti. Për shembull, një tipar i pohuar për një individ/grup varet nga individi/grupi me të cilin krahasohen.

“Njerëzit nga vendet skandinave janë të strukturuar mirë dhe progesivë”- kur krahasohen me njerëzit nga Ballkani.

“Njerëzit nga vendet skandinave janë të ftohtë dhe të largët.”- kur krahasohen me njerëz nga vendet e mesdheut.

  • Nuk është e lehtë t’i ndryshojmë stereotipet, por, nëse ekzistojnë mjaftueshëm informata të kundërta, mund të rivlerësohen dhe ndërrohen.

“Gratë kanë instinktin e nënës”- që vie nga formula tradicionale e së kaluarës, ku gratë kryesisht merreshin me kujdesin ndaj fëmijëve. Mirëpo, në shoqëritë moderne numri i baballarëve që kujdesen për fëmijët e tyre është rritur konsiderueshëm, duke vërtetuar kështu që “instinkti i babait” është poashtu i rëndësishëm.

  • Ndikojnë në mënyrën se si ne marrim ose reagojmë ndaj informacionit të caktuar. Ndërsa stereotipet priren të rezervojnë një vend në nënndërgjegjen tonë, ne priremi të mbështesim informacionin që i qetëson ata dhe të refuzojë ose të injorojë informacionin që nuk përputhet me to.

Por, a është ky fundi i rrugës? Apo, ndoshta stereotipet janë aq të forta sa të krijojnë pasoja të tjera më shqetësuese? Të kalojmë në nivelin 2 për ta parë!

NIVELI 2: Paragjykimi

“Paragjykimi është një mendim apo ndjenjë e padrejtë dhe e paarsyeshme, veçanërisht kur formohet pa mendim apo njohuri të mjaftueshme.”

Paragjykimi, në shumicën e rasteve, i referohet qëndrimeve negative të refuzimit drejt pjesëtarëve të një grupi, bazuar vetëm në faktin që i konsiderojmë si pjesëtarë që i përkasin atij grupi.

Paragjykimi shpesh nisë në formën e një stereotipi dhe zgjerohet në atë mënyrë që na bën të interpretojmë në mënyrë selektive realitetin përmes ndjenjave tona negative me vetëdije apo nënvetëdije, besime, stereotipe dhe tendencës për të diskriminuar një individ ose një grup njerëzish, të cilat shpesh kanë bazë racën, gjininë, aftësinë, përkatësinë etnike, kombësinë, fenë, moshën, statusin social, orientimin seksual, gjendjen ekonomike, etj.

Racizmi

“Kafka e njerëzve me ngjyrë i ngjason më shumë kafkës së majmunit se sa të njeriut.”

Seksizmi

“Burrat janë më të mirë se gratë në sport.”

Diskriminimi në bazë të moshës

“Personat në moshë mendojnë ngadalë dhe janë inkompetentë.”

Klasizmi

“Njerëzit e varfër vjedhin.”

Homofobia

“Të qenurit homoseksual është sëmundje ngjitëse.”

Nacionalizmi

“Arianët janë raca superiore.”

Religious prejudice

“Të gjithë myslimanët janë terrorista.”

Ksenofobia

“Refugjatët do të na marrin vendet e punës dhe do të na shkatërrojnë të ardhmen.”

Edhepse këta shembuj mund të duken tē ashpër dhe të papranueshëm në kohë moderne, për fat të keq ende ekzistojnë në masë të madhe në popullatën e gjerë, megjithatë nuk e pasqyrojnë realitetin në asnjë nivel.

Me fjalë të tjera, stereotipet dhe paragjykimet na bëjnë të veprojmë kështu: nuk shohim para se të definojmë, por definojmë para se të shohim”.

Në fund të ditës, ku na çon ky keqinterpretim i realitetit? Si ndikon në sjelljen tonë drejt të tjerëve? Le ta shohim!

NIVELI 3: Diskriminimi

“ Diskriminimi është një sjellje e padrejtë ndaj individëve ose pjesëtarëve të një grupi, duke u bazuar në paragjykimet që ekzistojnë për ta.”

Dëgjojmë, lexojmë dhe flasim shpesh për diskriminimin. Pavarësisht përpjekjeve online dhe offline nga akterë lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, sistemeve të edukimit, OJQ-ve, grupeve joformale të njerëzve, apo edhe iniciativave individuale, diskriminimi vazhdon të jetë dukuri me të cilën përballen shoqëritë moderne.

Diskriminimi ndaj një grupi të caktuar mund të jetë direkt, ose i maskuar si sjellje e padëmshme dhe sipërfaqësisht e drejtë. Diskriminimi mund të njihet në tre forma të ndryshme:

  1. Diskriminimi direkt- përfshinë sjellje, qëndrime dhe veprime që padyshim synojnë dëmtimin një grupi të caktuar duke e diferencuar atë sipas përkatësisë kulturore, moshës, gjinisë, statusit socio-ekonomik etj.

Shembull: avansimi në punë i ofrohet një burri me kualifikim më të ulët, në vend të një gruaje më të kualifikuar.

  1. Diskriminimi indirekt- përfshinë sjellje, qëndrime dhe veprime që duken të jenë neutrale dhe përfshirëse, por është e ditur që një grupi të caktuar nuk i mundësohet pjesëmarrja për ndonjë arsye.

Shembull: kërkesa për gjatësi minimale për një pozitë pune ku gjatësia nuk është e rëndësishme për mbarëvajtjen e punës.

  1. Diskriminimi struktural/sistematik- përfshinë sjellje, qëndrime dhe veprime nga institucionet apo strukturat shtetërore, të cilat nuk sigurojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë, duke përjashtuar një grup të caktuar nga jeta socio-ekonomike dhe politike.

Shembull: ligje të ndryshme penale që u imponohen një grupi të caktuar për shkak të bindjeve të tyre politike

Pasi eksploruam të gjitha këto faza të ndryshme por të lidhura ngusht më njëra- tjetrën, po njoftohemi me mbretin e xhunglës: GJUHËN E URREJTJES!

NIVELI 4: Gjuha e urrejtjes

“Gjuha e urrejtjes është çdo lloj komunikimi (verbal apo me shkrim) ose sjellje që sulmon ose përdorë gjuhë poshtëruese ose diskriminuese në lidhje me një person ose një grup në bazë të asaj se kush janë, me fjalë të tjera, bazuar në fenë, përkatësinë etnike, kombësinë, racën, ngjyrën, prejardhjen, gjininë ose një faktor tjetër identiteti.”

Disa institucione të BE-së e përshkruajnë gjuhën e urrejtjes si një ngacmim të përsëritur verbal ose psikologjik të kryer nga një individ ose grup ndaj të tjerëve. Gjuha e urrejtjes ka të bëjë me fyerjet e papërshtatshme, abuzive ose mizore ose gjuhë nënçmuese ose fjalë kërcënuese të drejtuara ose kundër një personi ose grupi personash të identifikuar nga raca, etnia, kombësia, feja, orientimi seksual, paaftësia, gjinia ose burime të tjera diskriminimi.

Nëse ky fenomen ka ekzistuar tashmë në komunikimet sy më sy , shpërthimi i përdorimit të internetit ka çuar në mënyrë të pashmangshme në një shpërthim të gjuhës së urrejtjes online, jo vetëm përsa i përket rasteve, por edhe në formave dhe variacioneve të ndryshme.

Gjuha e urrejtjes online ​​përfshinë të gjitha format e shprehjes, si:

Fjalët

(të shkruara apo të folura)

Imazhet

(fotografi, vizatime, memes)

Videot

Urrejtjen kibernetike

Apo cfarëdo forme tjetër të aktiviteteve online.

Shtrohet pyetja: pse po zgjerohet ky fenomen online? Cilat janë arstet që shtyejnë dhunuesit të sillen përtej kufijve, e aq më pak të pranueshme nga viktimat e tyre? Le ta shohim tutje:

  • ANONIMITETI: për fat të mirë apo të keq, interneti është një hapësirë e madhe, e lirë për përdorim nga të gjithë, duke i mundësuar kështu çdo kujt të fshihet pas anonimitetit dhe të mbaj sekret identitetin e tyre. Nga pikëpamja pozitive kjo mund të mbrojë disa përdorues ose t’u japë atyre guximin për t’u shprehur më hapur, nga ana tjetër u jep gjithashtu dhunuesëve mundësinë për të qenë të maskuar dhe për ta shpalosur urrejtjen e tyre kundër viktimave të tyre pa kufizime (madje edhe pa pasoja).
  • DISTANCA: distanca fizike mes viktimës dhe dhunuesit i jep këtij të fundit luksin që të mos preket drejtpërdrejt nga pasojat e veprimeve të tyre të urrejtjes, të distancohen emocionalisht nga situata dhe si rrjedhojë të ekzagjerojnë veprimet/ sjelljet e tyre.
  • MUNGESA E PËRGJEGJËSISË: realiteti virtual i jep dhunuesëve përshtypjen e gabuar jo vetëm se pasojat e veprimeve të tyre janë më pak efektive, por edhe se nuk kanë asnjë përgjegjësi për to. Kështu, dhunuesit shpesh paraqesin argumentin e “lirise së shprehjes” dhe “fjalës së lirë”, duke u munduar ta lirojnë veten nga barra e veprimeve të tyre. Natyrisht, kjo nuk është fare relevante.
  • AUDIENCA E GJERË: bota e madhe digjitale në mënyrë të pashmangshme i ofron dhunuesit një audiencë të gjerë për të vëzhguar dhe vepruar në sjelljet e tyre, duke u dhënë kështu kënaqësi dhe fuqi.
  • SHPËRNDARJA: funksioni i shpërndarjes në shumicën e platformave online lejon përdoruesit të komentojnë, ri-postojnë, kontibuojnë në shprehjen e zgjerimin e materialeve me përmbajtje të urrejtjes, që shpërndahet shumë më lehtë dhe për këtë arsye zgjatë “jetëgjatësinë” madje më shumë se postimi origjinal.
  • HEZITIMI I VIKTIMAVE: aktiviteti online mund të jetë po aq i dëmshëm sa incidentet në jetë reale. Megjithatë, kompleksiteti i mekanizmave raportues dhe përshtypja e rreme që “nuk ja vlen të reagosh/ta mbrosh veten”, i bën viktimat e gjuhës së urrejtjes online të hezitojnë t’i raportojnë incidentet. Për këtë aryse, ky fenomen del jashtë kontrolit, kur dhunuesit vazhdojnë të shpërndajnë urrejtje pa pengesë dhe pa i vuajtur pasojat.

Sidoqoftë, shihet se gjuha e urrejtjes online është nje fenomen modern, i cili mund të sjellë rezultate shkatërruese, jo vetëm për objektivat e tij, por edhe për shoqërinë në tërësi. Si i tillë, duhet të trajtohet menjëherë.

SHIKOJE!

“Teen Voices: Hate Speech Online”, nga Common Sense Education

Por, a ka ndonjë pikë tjetër të dobët kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes? Ta shohim!

21%